Në përpjekje për ta shprehur distancimin e tij, e së bashku me të edhe
mllefin e revoltën me atë çfarë i ndodh botës, kam përshtypjen se Bujari
provon diçka të re: ai provon mënyra të ndryshme e të paprovuara më
parë, të rrëfimit poetik, përfshirë teknikën e demaskimit empatik, duke
e paraqitur në këto raste se sa të tmerrshëm mund të jemi disa nga ne
njerëzit. Në këtë drejtim, ai eksperimenton dhe zbulon ndjesi të reja të
panjohura më parë. Te ndonjë poezi, atë ndodh ta magjepsë edhe sindroma
e Stokholmit, teori e njohur, kur viktima i dorëzohet vullnetarisht
vrasësit. Kuptohet, Bujari është me viktimën, por është këmbëngulës që
ta demaskojë vrasësin, duke i hyrë nën lëkurë, kinse duke e aprovuar,
sepse kudo në botë vrasësit kanë edhe aprovues. Lulzim Tafa